Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.
Gazetari i “ABC”-së Ermal Vija raporton se Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të rihapur çështjen ‘Gërdeci’ SPAK rinisi hetimet, ndërkohë pritet që të nisë pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat.
Personave të parë që u është nisur fletë-thirrje janë trashëgimtarët e viktimave dhe personat e dëmtuar nga “Gërdeci”. Në pyetje do të rimerren edhe ish zyrtarë të lartë që kanë qenë në detyrë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do ripyetet është ish-ministri mbrojtjes Fatmir Mediu.
Në fillim të muajit qershor, Gjykata e Lartë vendosi revokimin e vendimit që pengonte gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. Tashmë që çështja u rihap Mediu do të gjykohet.
Rreth tre muaj më parë, në studion e ABC, Mediu deklaroi se ai është gjykuar në lidhje me këtë ngjarje dhe ka qenë ai që ka dhënë dorëheqjen menjëherë nga posti për arsye morale duke ngritur akuza se maxhoranca po e përdor çështjen për të përbaltur figurën e tij.
Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të vitit 2008, rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. / Abcnews.al