Zhduket recepsionisti i hotelit/ Dhërmi, Policia: 31-vjeçari dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri

schedule16:01 - 6 Qershor, 2024

schedule 16:01 - 6 Qershor, 2024

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Himarë, ku punonjësi i një hoteli është raportuar i zhdukur këtë të enjte.

Sipas informacioneve të policisë, 31-vjeçari, Eraldo Nevruzi është qëlluar me armë zjarri, ndërkohë që autori i dyshuar, Gerald Shehu, 43 vjeç, është larguar drejt Greqisë.

“Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi Eraldo Nevruzi, 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.

Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi Gerald Shehu 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.

Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.

Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit Eraldo Nevruzi si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!