E reja rrezikoi të mbytej në pishinë, shpallet në kërkim administratori i restorantit në Linzë

schedule09:40 - 23 Gusht, 2022

schedule 09:40 - 23 Gusht, 2022

Pas ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në një pishinë në Linzë, në periferi të Tiranës, ku një e re 25-vjeçare rrezikoi të mbytej, policia ka shpallur në kërkim administratorin e restorantit “Markata peshkut’.

52-vjeçari Ylli Hidri akuzohet për veprën penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, pasi nuk kishte caktuar përgjegjës për pishinën, siç e parashikon ligji.

25-vjeçarja Enkeleda Trungu vijon të jenë në Reanimacion në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. E reja ishte duke u larë në pishinë bashkë me shokun e saj, Orjolin Mete, 32 vjeç. Mësohet se asnjëri prej dy të rinjve nuk dinte not.

Pas ngjarjes së rëndë, efektivë të komisariatit nr 4 proceduan në gjendje të lirë 32 vjeçarin Mete, për veprën penale ‘plagosje e rëndë nga pakujdesia’ pasi kur vajza ka rrezikuar të mbytet, ai nuk i ka dhënë ndihmën e duhur.

“Më datë 22.08.2022, është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar brenda në pishinë, shtetasen E. T., 25 vjeçe, në gjendje të rëndë, e cila ishte e shoqëruar nga shtetasi O. M., 32 vjeç. Shtetasja E. T., pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga stafi i ambulancës, është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia për ngjarjen një ditë më parë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!