E quajti presidentin turk “diktator fashist”, Erdogan kallëzon penalisht deputetin e opozitës

schedule11:01 - 31 Tetor, 2017

schedule 11:01 - 31 Tetor, 2017

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan ka kallëzuar penalisht një deputet të opozitës, i cili e quajti atë “një diktator fashist”. Vetëm për përdorimin e një termi të tillë, ai akzohet për fyerje të rëndë ndaj presidentit turk.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan ka kallëzuar penalisht një deputet të opozitës, i cili e quajti kreun e shtetit turk “diktator fashist”. Avokati i Erdoanit, Husein Ajdin publikoi në Tuiter fotot e kallëzimit penal ndaj deputetit të Partisë Republikane Popullore në opozitë Bulent Tezçan.

Avokati sqaron se dosja që iu dërgua prokurorisë së përgjithshme në Ankara, përmban akuzën penale të fyerjes së presidentit. Sipas avokatit, nuk bëhet fjalë për një fyerje të thjeshtë. Por ajo është pjesë e një fushate kundër presidentit Erdoan, që ka nisur që para grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të vitit të kaluar.

Deputeti Tezçan, njëherësh zëdhënës i partisë opozitare ku bën pjesë, i bëri komentet në një fjalimi në qytetin perëndimor Tekirdag. Tezçan i doli në mbrojtje kryebashkiakut të qytetit, që është pjesë e partisë së tij, i cili gjithashtu e kishte quajtur Erdoanin “diktator”. Sipas deputetit opozitar, autoritetet lokale po i bënin presion kryebashkiakut, për të krijuar një atmosferë frike në të gjithë Turqinë. Për përdorimin e taktikave të tilla, Tezçan e quajti Erdoanin “diktator fashisht”.

Sipas statistikave, Erdoan që ka dominuar skenën politike turke për më shumë se një dekadë ka kërkuar ngritjen e 1800 padive penale. Mes tyre ka edhe karikaturistë apo fëmijë shkollash, të cilët akuzohen se kanë fyer presidentin. Fushata e shtypjes së kundërshtarëve është bërë më e ashpër pas grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut të vitit të kaluar, periudhë prej të cilës janë pushuar nga puna 150 mijë njerëz dhe janë burgosur 50 mijë të tjerë. Arsyeja, mbrojtja e Turqisë nga aktet që kërcënojnë stabilitetin, për të cilat i akuzuari kryesor është sheiku në arrati Fetullah Gylen, kundërshtari kryesor politik i presidentit Erdoan.