E quajti nxitës të luftës, Vuçiçi i përgjigjet presidentit të Kroacisë

schedule16:08 - 21 Shtator, 2021

schedule 16:08 - 21 Shtator, 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se nuk dëshiron të përgjigjet ndaj deklaratave të presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviç, i cili paraprakisht e quajti atë një nga nxitësit më të spikatur të luftës të viteve 1990.

Duke u shprehur se e respekton Kroacinë si shtet, Vuçiç tha se Milanoviçi shqetësohet nga fakti që, siç tha ai, Serbia do ta tejkalonte Kroacinë këtë vit për sa i përket totalit të PBB-së, me 300 deri në 600 milionë euro.

“Dhe ata kishin një avantazh prej 15 miliardë eurosh ndaj Serbisë”, tha Vuçiç, duke shtuar se ai nuk do t’i përgjigjej “fyerjeve të ulëta dhe të cekta” të Milanoviqit me fyerje.

“Por as që më shkon në mendje ta fyej atë, ai është zgjedhja e qytetarëve të Kroacisë dhe kështu imazhi dhe mundësia e tyre, kështu që nuk më shkon në mendje t’i ofendoj ata njerëz”, tha Vuçiç.

Por ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, nuk u përmbajt nga ofendimet dhe në një deklaratë vlerësoi se Milanoviç “i përket politikanëve më budallenj kroatë”.

“Në Kroaci, politikanët ndahen në ustashë të hapur dhe të fshehtë. Kur, duke mos ditur se ishte filmuar në një takim me të ashtuquajturit mbrojtës, ai pranoi me krenari rrënjët e tij ustashe, Milanoviç vërtetoi se ai i përkiste pasuesve të fshehtë të lëvizjes ustasha”, tha Vulin në një deklaratë.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, duke iu referuar zgjerimit të Bashkimit Evropian në Forumin Botëror të Liderëve në Nju Jork, vlerësoi se jo të gjitha vendet e Evropës Juglindore e kanë motivimin e nevojshëm për t’u anëtarësuar në BE.

Milanoviç theksoi se për Serbinë pengesa më e madhe në rrugën e anëtarësimit është presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, për të cilin tha se “është një nga nxitësit më të shquar të luftës në vitet ’90”, raporton media kroate, Telegram.