Pretendentja kryesore për të pasuar kancelaren Angela Merkel, ndryshe nga shefja e saj ka propozuar një linjë më të ashpër ndaj Rusisë pas incidentit me anijet ukrainase në Krime. 56-vjeçarja Karenbauer ka deklaruar se Gjermania duhet të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha në politikën e jashtme.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë ndalimin e hyrjes së anijeve ruse që nisen nga deti Azov në portet e tyre, si reagim ndaj sekuestrimit të tre anijeve të marinës ukrainase nga Rusia fundjavën e kaluar. Propozimi është bërë nga e preferuara e kancelares gjermane Angela Merkel, ditën e premte. Anegret Kramp Karenbauer, që udhëheq garën për të pasuar Merkel në drejtimin e konservatorëve, tha gjithashtu se Gjermania duhet të përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme dhe të investojë për mbrojtjen.
“Nëse konfirmohet se agresioni ka ardhur nga Rusia, atëherë mendoj se ne duhet të përgjigjemi qartë”, deklaroi Karenbauer në një intervistë televizive.
“Një përgjigje mund të jetë ndalimi i anijeve ruse që nisen nga deti i Azovit të hyjnë në portet europiane ose amerikane derisa çështja me Ukrainën të zgjidhet”, propozoi ajo.
Komentet e politikanes 56-vjeçare përmbajnë tone më të ashpra se ato të kancelares Merkel, që është mjaftuar me një thirrje për shmangien e tensioneve dhe për dialog. Karenbauer, shpesh herë e etiketuar si “mini Merkel”, ndodhet në garë për lidershipin e Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë me Fridrih Merc, një rival ky i hershëm i kancelares që premton ndryshime edhe më radikale.
Sondazhet tregojnë se ajo është më popullorja në radhët e CDU-së dhe më e preferuara e votuesve. Fituesi do të përcaktohet në kongresin e partisë që mbahet në datat 7 dhe 8 dhjetor, ku 1 mijë e 1 delegatë do të votojnë për të zgjedhur pasuesen e Merkel.
“Europa dhe Gjermania në veçanti duhet të marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha”, vijoi Karenbauer./abcnews.al