E pazakontë në Maqedoninë e Veriut: LSDM bën fushatë me kengë shqipe

schedule14:26 - 15 Dhjetor, 2019

schedule 14:26 - 15 Dhjetor, 2019

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Lupço Nikolovski ka nisur fushatën me këngë shqipe në një përpjekje për të tërhequr elektoratin shqiptar.

Nikolovski propozoi në në profilin e tij në Facebook një nismë për të cilën thotë se ka për qëllim t’i ofrojë qytetarët e Maqedonisë në rrjetet sociale nga të gjitha komunitetet përmes artit, këngës dhe diversitetit në folklor. Politikani i cili nuk dëshiron që politika të përzihet në ofrimin e qytetarëve, ftoi të parin ministrin e diasporës, Edmond Ademi t’i përgjigjet sfidës.

“Më bëri përshtypje të madhe “Se do t’i dua” nga qyteti i Korçës. Korça është e njohur për serenatat, ndërsa kjo këngë është interpretuar nga shumë këngëtarë të njohur shqiptarë, në shumë ngjarje, evenimente, gëzime familjare. Atë e ka kënduar edhe këngëtari i njohur nga Struga, Selami Kolonja”

Por nuk mbaron me kaq. Ka maqedonas që për një vend pune, po deklarohen shqiptarë. Kjo ndodhi në Shkup, ku, pas konkursit për zjarrfikës në Brigadën e Shkupit, për të fituar një vend pune. Kire Trajkovski, Goran Trajkovski dhe Zllatko Serafimovski, u deklaruan shqiptarë. Kjo nuk përbën shqetësim për Kreun e Qytetit të Shkupit, meqë nuk mund të ndërhyjë në atë sesi ndjehet dikush në lidhje me përkatësinë e tyre etnike. Petre Shilegov tha se punësimet bëhen ashtu siç parashihet me ligj.

“Unë si kryetar nuk kam të drejtë ti them askujt se çfarë është dhe si të ndjehet në bazë të përkatësisë etnike. Thjeshtë nuk do të lejoja as për vete që dikush të më tregojë sesi ndihem unë,”-tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Shilegov tha se metoda e punësimit mohon punësimit sipas meritave, duke i ndarë të punësuarit në bazë të përkatësisë etnike. Ai tha se është arritur mjaft në nivel shtetëror në lidhje me përfaqësimin adekuat të shqiptarëve dhe komunitetet më të vogla në administratën publike.

“Unë mendoj se, mbase është koha t’i rishikojmë kornizat ligjore që ekzistojnë në shtetin tonë. Mbase ekziston një shqiptar i ri që është seriozisht i kualifikuar dhe i përmbush të gjitha kriteret, por për shkak të ‘balancerit’ nuk mund të punësohet në administratën e qytetit ose e kundërta”.

Punësime të ngjashme janë vërejtur në disa institucione tjera publike në nivel shtetëror dhe lokal.

Madje, shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të komunitetit maqedonas, para avokatit dhe noterit kanë deklaruar me shkrim se ndihen shqiptarë. Për këtë dukuri reaguan edhe partitë shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Programi softeuerik “Ballancer” nuk është pjesë e ligjit në Maqedoninë e Veriut, por është pjesë e metodologjisë së Qeverisë për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike, i cili jep sugjerime për përkatësinë etnike për të punësuarin e radhës./abcnews.al