Në studion e ABC e Mëngjesit ishte këtë të marte Tesi, udhërrëfyese shpirtërore, e cila prej 11 vitesh jeton mes së prekshmes dhe së padukshmes. Që në fëmijëri ndiente magjinë e botës, por vetëm në moshën 17-vjeçare vendosi të “zgjohej” plotësisht shpirtërisht. Rrëfimi më i fortë i saj lidhet me humbjen e babait, një dhimbje që thotë se e kishte parandjerë shumë vite më parë.
“Katër vite para se të ndërronte jetë, e pashë në ëndërr. Shpirti i tij ma komunikoi”, tregon Tesi. Sipas saj, humbjen e parashikoi edhe 21 ditë para se të ndodhte, ndërsa ishte duke kanalizuar energjinë e tij. Një përjetim që e tronditi thellë, por edhe e forcoi në misionin e saj.
Sot, Tesi thotë se është rikthyer te jeta, edhe pse pa të atin në tokë. Ajo beson se njeriu, para se të vdesë, dërgon mesazhe përmes shpirtit, por shumica nuk i kupton sepse “e ka shpirtin në gjumë”. Udhëtimi shpirtëror, sipas saj, është njëkohësisht bekim dhe mallkim. Sekreti i saj? Të mos ndalet kurrë.


