Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, pas takimit që kishte me përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë së Parë, foli në lidhje me atë që është diskutuar dhe theksoi se klubet janë gati për të luajtur. “Sot kishim një takim me të gjithë presidentët e klubeve të Kategorisë së Parë dhe ramë dakord që të rinisim me 7 qershor. Dihet që janë dy grupe, që luajnë për mbijetesë dhe për ngjitjen në Superiore”, shprehet fillimisht Shulku.
Më tej ai shtoi: “U treguam përfaqësuesve të klubeve për takimet që kemi bërë me ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë, ua bëmë të qarta detajet e protokollit sanitar. Janë të gjithë dakord që do t’i përmbushin dhe tani presim datën e rifillimit.
LEXO EDHE: 7 qershori rikthen Kategorinë e Parë, publikohet edhe kalendari
Çdo gjë është OK nga ana jonë. Nuk pati debate, e vetmja kërkesë erdhi prej disa klubeve, për mbulimin e kostove shtesë që do të ketë kjo fazë e mbetur. Kjo u la të diskutohet në një moment të dytë”. Në fund Shulku u prononcua edhe për Kategorinë e Dytë dhe për kampionatet e moshave.
“Do kemi takime edhe me klubet e Kategorisë së Dytë, me përfaqësues të akademive dhe do vazhdojmë me diskutimet. Jemi të mendimit të luhet futboll në të gjitha nivelet. Shpresojmë edhe në mirëkuptimin e ekspertëve të shëndetësisë dhe të zbatojmë protokollin sanitar, që tashmë është dakordësuar dhe ta mbyllin sezonin në fushë”. /abcnews.al