“E paaftë, e dobët, e papërgegjshme”, ambasadori britanik në SHBA kritikon administratën e Trump

schedule11:03 - 7 Korrik, 2019

schedule 11:03 - 7 Korrik, 2019

Një seri email-esh diplomatike të publikuara në mediat britanike rrezikojnë të cënojnë marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës. Bëhet fjalë për email-et e ambasadorit britanik në Uashington, që në mesazhet për qeverinë qendrore në Londër kritikon ashpër administratën e presidentit Donald Trump.

E paaftë, e dobët dhe e papërgjegjshme. Kështu është etiketuar administrata e presidentit Donald Trump nga ambasadori britanik në Uashington, Sër Kim Darroç. Në email-et e tij, diplomati i Mbretërisë së Bashkuar thotë se Shtëpia e Bardhë është “jofunksionale” dhe “e përçarë” nën udhëheqjen e Donald Trump.

Nga ana tjetër, në mesazhet elektronike të publikuara në gazetën “Meill on Sandej”, Darroç nënvizon se edhe vetë presidenti Trump nuk duhet lënë jashtë kritikave. Ministria e Jashtme britanike, duke reaguar e ka cilësuar publikimin e email-eve një veprim dashakeq, por nuk ka kritikuar saktësinë e tyre. Shtëpia e Baradhë nuk u është përgjigjur ende kritikave, por ato mund të vënë në provë atë që njihet si “marrëdhënie e veçantë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

“Nuk besoj se kjo administratë do të normalizohet, do të jetë më pak e paaftë, më pak e ngathët dhe e pandarë në fraksione”, thotë në mesazhin e tij ambasadori Darroç.

Ai shton se, pavarësisht se Trump u duk më i përulur gjatë vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, administrata e tij vazhdon të mbetet egoiste dhe e prirur ndaj politikës “Amerika e Para”.

Dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë për ndryshimet e klimës, lirinë e medias dhe dënimin me vdekje mund të vihen sërish në dukje, në një kohë kur dy vendet po përpiqen të përmirësojnë lidhjet tregtare që do të jenë në fuqi pasi Britania të dalë nga BE-ja./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!