Ish-sulmuesi i Arsenal, Nicklas Bendter, është rikthyer të flasë për periudhën e tij tek “Topçinjtë” e Londrës. Danezi i cili si gjithmonë bën shumë bujë në media me deklaratat e tij, këtë herë është ndalur tek marrëdhënia që ka patur me Arsene Wenger dhe se si ai nuk e la të largohej në sezonin 2013/2014.
“Ne e respektonim njëri-tjetrin dhe madje kaluam kohë të mira së bashku. Ishim të sinqertë në punën tonë. Në vitin 2013 unë dëshiroja të largohesha dhe Crystal Palace më kishte bërë një ofertë shumë të mirë”, kujton danezi në një prononcim për “FourFourTwo”.

“Kur ia komunikova Wengerit dëshirën time ai më tha se më fal por nuk mund të largohesh. Ishte një goditje e rëndë për mua sepse kisha pritur gjithë javën që të largohesha. Ai më bëri të shikoj personalitetin e tij sepse më shpjegoi se qëndrimi im ishte opsioni më i mirë dhe për klubin. Ishte e vështirë të debatoje me të. Unë e ofendova rëndë atë, por s’më la të ikja”, përfundon Bendtner, i cili luajti vetëm nëntë ndeshje atë sezon në Premier League. /abcnews.al

