E njofton Blinken, zbulohet “arma” e SHBA kundër korrupsionit global: Si do funksionojë

schedule19:17 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 19:17 - 9 Dhjetor, 2021

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë publike strategjinë e tyre për të goditur korrupsionin global.

Së fundmi Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken njofton për sanksione të reja dhe ndalesa për të udhëtuar drejt ShBA-së për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të korruptuar. Blinken në fjalën e tij ka deklaruar se SHBA po krijon “armën” kundër korrupsionit.

“Kam kënaqësinë të njoftoj sot se Departamenti i Shtetit po krijon një Koordinator për Anti-Korrupsionin Global, i cili do të integrojë dhe ngrejë luftën kundër korrupsionit në të gjitha aspektet e diplomacisë amerikane dhe ndihmës së huaj. Koordinatori, duke punuar ngushtë me partnerët ndërinstitucionalë dhe ndërkombëtarë, do të udhëheqë zbatimin e Departamentit të Shtetit të Strategjisë së SHBA-së për luftën Kundër Korrupsionit, të shpallur këtë javë nga Shtëpia e Bardhë” tha Blinken këtë të enjte.

Konkretisht Blinken ka folur për 11 emra që do të shpallen “non grata” nga SHBA pasi janë të përfshirë në korrupsion.

 “Në ditën ndërkombëtare Anti-Korrupsion, ShBA-ja do të vendosë sanksione dhe ndalesa vizash për 11 zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë. Së bashku ne mund të luftojmë korrupsionin dhe të promovojmë llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Blinken.

Kujtojmë se sot  Zv/ ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Zyrtari i lartë amerikan takimet i nisi me liderin e PD-së. Takimi që zgjati më shumë se një orë me kryedemokratin dhe kupolën drejtuese të PD-së u pasua me një bisedë të shkurtër kokë më kokë mes Escobarit dhe Bashës.

Një burim tha për ABC se Gabriel Escobar e ka bërë të qartë se “SHBA do të punojnë me institucionet shqiptare për të identifikuar biznesmenët që kanë vënë pasuri duke u ndihmuar nga politikanë të korruptuar”.

Lëvizja amerikane është pjesë e një mbështetje të fortë për Ballkanin për ta çliruar nga korrupsioni. Dje ishte vendimi i fundit ku shënjestroi grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviç në veri të Kosovës. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!