“E mendojmë titullin”, Gurishta: Nesër ndeshje e madhe, por të mos e mbivlerësojmë Tiranën

schedule16:18 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 16:18 - 29 Dhjetor, 2020

Nesër në orën 13:45 në “Selman Stermasi” luhet derbi i Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp foli kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Ai shprehet se nuk duhet mbivlerësuar kjo ndeshje dhe se lojtarët e stafi po e mendojnë titullin.

“Është ndeshje shumë e rëndësishme, klasikja e Shqipërisë, por ne e kemi si ndeshjen e radhës, ashtu si ajo ndaj Skënderbeut. Të mos e mbivlerësojmë Tiranën, ta vlerësojmë për aq sa Tirana ka merita. Ka emocione në të tilla ndeshje, por ndonjëherë të bëjnë mirë.

Të shkojmë dhe të tregojmë se e meritojmë vendin e parë. Në shumicën e rasteve fiton ai që e meriton. Gjashtë pikë në këto momente janë shumë pak sepse është vetëm java e 12 dhe nuk janë mjaftueshëm. Jemi në rrugën e duhur.

Të gjithë kanë të drejtë ta mendojnë titullin kampion, të them të drejtën edhe ne e mendojmë sepse kemi bërë ndeshje shumë të mira, kemi parë të gjithë ekipet dhe e kemi parë forcën e tyre. Edhe tifozët e presin titullin.

Megjithatë objektivi janë kupat e Europës, por nëse shkojmë në rrugën e duhur, pa kaluar në eufori pse jo. Gjithë ekipi është në formë të mirë, jo vetëm unë. Nëse vazhdojmë kështu mund të kemi mundësi që në verë të transferohemi jashtë. Janë disa zëra, por unë jam i përqendruar te Vllaznia dhe te ndeshjet”, u shpreh Gurishta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!