E kryer, Refik Halili vendos për trajnerin e ri të Tiranës

schedule12:49 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 12:49 - 27 Dhjetor, 2019

Emanuel Egbo do të jetë trajner i Tiranës deri në fund të sezonit, sikurse raporton së fundmi Supersport. ABC News prej ditësh ka raportuar se nigeriani kishte fituar goxha pikë për të drejtuar bardheblutë. Në klubin 24 herë kampion të vendit nuk kanë dashur të eksperimentojnë.

Me Egbo në tre javë klubi mori 9 pikë dhe u rikthye qetësia, ndërkohë që edhe lojtarët tashmë janë më të çliruar. Vetë tekniku, nga një “jo” e prerë kaloi në do të bisedojmë. Presidenti Refik Halili do të kishte dashur të rikthente Ilir Dajën.

Gjithsesi trajneri i Skënderbeut, nën kontratë me korçarët, sqaroi të hënën në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC News, se do të qëndronte në krye të bardhekuqve. Te Tirana, të ndodhur në kushtet ku alternativat bindëse jenë të pakta, kanë menduar t’i japin një shans Egbos.

Kjo është dukur edhe lëvizja me logjike, me shpresën që nigeriani do të vazhdojë ecurinë muajit dhjetor. Ekipin e njeh mirë, pasi është aty prej vitesh. I lidhur me fanellën është, por ajo që duhet parë në vazhdim është se si do ta menaxhojë ekipin në rast të ndonjë hapi fals, apo kur në grup të ketë të pakënaqur.

Gjithsesi mbetet për t’u parë, ashtu sikurse duhet pritur që klubi i Tiranës të dalë me një deklaratë dhe të heqë çdo dyshim mbi atë që do ta drejtojë ekipin bardheblu. Mungon vetëm zyrtarizimi për të nisur epoka Egbo. /abcnews.al