Ish-futbollisti, Florian Riza, rezulton negativ pas testit të parë për COVID-19. Ai është i shtruar prej ditësh në spitalin Infektiv, pasi kishte dalë fillimisht pozitiv në testin e bërë dhe ishte nën mbikëqyrjen mjekëve.
Riza, i cili punon në FSHF ne sektorin e futbollit të femrave, para pak kohësh ishte pjesë e një seminari në Itali dhe me shumë mundësi e ka marrë virusin në vendin fqinj. Riza është edhe pjesë e panelit të emisionit “Pressing”, që transmetohet në ABC News çdo të hënë dhe të enjte.
Gjendja e tij ka ardhur në përmirësim nga dita në ditë dhe sot ai ka bërë testin e parë për COVID-19 dhe ka dalë negativ. Atij do i duhet të qëndrojë sërish në karantinë, këtë herë në shtëpi, dhe të bëjë edhe njëherë testin, për të konfirmuar përfundimisht që e ka kaluar këtë situatë. /abcnews.al