E konfirmon mjeku i kombëtares së Brazilit: Neymar nuk do të jetë në Kupën e Amerikës 2024

schedule09:57 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 09:57 - 20 Dhjetor, 2023

Neymar nuk do të mund të marrë pjesë në Kupën e Amerikës 2024, e planifikuar për në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara, për shkak të dëmtimit të rëndë të marrë në tetor.

Këtë e ka bërë të ditur mjeku i kombëtares braziliane. Ylli i Seleçaos u dëmtua gjatë humbjes 2-0 kundër Urugait, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ai u transportua me barelë në lot dhe iu nënshtrua një operacioni në nëntor për një këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe të meniskut të gjurit të majtë.

Duhen të paktën nëntë muaj rehabilitim për t’u rikthyer në lojë pas një dëmtimi të tillë, nga më të rëndat për një futbollist dhe ktë gjë e ka shpjeguar mjeku Rodrigo Lasmar, duke përjashtuar mundësinë që Neymar të marrë pjesë nga datat 20 qershor deri më 14 korrik.

“Ai nuk do të ketë kohë, është shumë herët. Nuk ka kuptim të nxitosh për ta ngritur në këmbë para kohe dhe të marrësh rreziqe të panevojshme. Duhet të jemi të durueshëm. Të flasim për një kthim para nëntë muajsh është herët. Ne presim që ai të rikuperohet plotësisht pas kësaj periudhe, i gatshëm për t’u rikthyer të luajë në një nivel të lartë, me rezultate të mira, pa asnjë lloj kufizimi”, tha mjeku Lasmar./h.ll/abcnews.al