Sulmuesi i Milanit, Krzysztof Piatek, mesa duket nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve pas merkatos së janarit. Këtë e ka konfirmuar dhe babai i polakut, i cili deklaron se djali i tij kërkon të jetë titullar dhe jo një lojtar stoli.
“Kris kërkon të arrijë Euro 2020 në një formë të mirë dhe kjo nuk arrihet duke qëndruar në stol. Ai kërkon të jetë titullar dhe nëse Milan nuk ia ofron diçka të tillë, atëherë mund ta bëjë diku tjetër. Djali im është në merkato siç janë edhe Suso, Paqueta dhe Calhanoglu,” tregon babai i sulmuesit, Wladyslaw Piatek, për gazetën polake “Sportëefakty”.
“Shumë klube kërkojnë shërbimet e tij, por Milan kërkon të njëjtën shumë për të cilën e bleu nga Genoa. Kemi dhe një javë kohë deri sa merkato të mbyllet, ku do të vendoset dhe e ardhmja e Kris,” mbyll babai i Piatek. 24-vjeçari e humbi vendin e titullarit që nga ardhja e Zlatan Ibrahimovic në skuadër. Atletico Madrid dhe Tottenham janë në garë për polakun, por Milan kërkon 30-35 milionë € për kartonin e tij. /abcnews.al