“E kam adhuruar gjithmonë si autor”, Fatos Kongoli: Kadare nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm. Është një shkollë letrare

schedule11:28 - 3 Korrik, 2024

schedule 11:28 - 3 Korrik, 2024

Shkrimtari Fatos Kongoli e cilësoi Ismail Kadarenë si një “shkollë letrare”. Duke folur për mediat pasi bëri homazhe për Kadarenë në TKOB, ai kujtoi se është njohur me të. Kongoli tha se Kadare nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm por një fenomen letrar, që shumë të tjerë janë përpjekur ta imitojnë.

“Është njeriu që ka bërë për Shqipërinë. Nuk e di se kush e krahasonte me vlerat që ka pasur Skënderbeu. Kadarenë e kam adhuruar gjithmonë si autor edhe kur nuk më shkonte mendja se do të shkruaja ndonjëherë vetë, por vitet e fundit u miqësuam shumë me njëri-tjetrin. Kemi pasur një mik të përbashkët. Dhe vila e Kadaresë në Qerret ishte ngjitur me mikun tonë dhe takoheshim shpesh.

Më ndodhte të takohesha edhe me raste të ndryshme festash dhe muhabetet tona kanë qenë nga më të bukurat sepse Ismaili ishte i çliruar komplet nga gjithçka dhe fliste lirshëm. Ismaili nuk është një shkrimtar i zakonshëm, është një shkollë letrare. Ai ka shkollën e vet letrare kështu që shumë shkrimtarë të rinj e imitonin. Mirëpo, Ismaili, proza e tij është e paimitueshme. Ata kanë dëmtuar më shumë veten. Është një shkrimtar i pavdekshëm”, tha Kongoli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!