Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të dy shqiptarëve me gomone që u ndaluan dje në ujërat greke. Sipas mediave greke, dy shqiptarët e arrestuar kanë tentuar të trafikonin drogë përmes dy gomoneve të nisura nga Shqipëria duke përshkruar hapësirën detare të Greqisë me destinacion Turqinë.
“Dyshohet për grup trafikantësh që çojnë hashash në Turqi dhe e shkëmbejnë me heroinë. Drejtoria kundër narkotikëve në policinë greke ka pasur informacion për dy gomone që do niseshin nga Shqipëria për të çuar hashash në Turqi ku do të merrnin heroinë. Dyshohet se nga gomonia e kapur është hedhur heroinë në det gjatë ndjekjes pasi hashashin ka arritur të shkarkojë në brigjet turke”, shkruajnë mediat greke.
Mediat greke kanë publikuar pamjet e operacionit antidrogë në det, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe një italian. Në pamje duken dy shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur, ndërsa shfaqen me duart të ngritura lart duke iu dorëzuar policisë.
Por, policia shqiptare, përmes një deklarate gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria. Sipas policisë shqiptare, operacioni është zhvilluar në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë. Në operacion morën pjesë 10 skafe të policisë greke, 1 avion i FRONTEX dhe 1 helikopter i policisë greke./ABC News Albania 24/7