Zhdukja e Ervis Martinajt, RENEA “rrethon” Shijakun. Ende nuk dihet nëse ka dyshime që Ervis Martinaj mund të jetë vrarë apo fshehur në zonën e Shijakut. Përflitet se momenti i fundit që ai është parë i gjallë ka qënë pikërisht në Shijak.
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi.
Sipas burimeve të policisë, Martinaj, mbrëmjen e 8 gushtit, ka dalë rreth orës 18:30 nga ambjentet e një godine pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ku ai kishte një apartament.
Silueta e tij është filmuar nga një kamera sigurie e qendrës tregtare Ring Center. Martinaj shfaqet me syze dielli, tuta të shkurtra dhe me shapka. Teksa bën një lëvizje të shkurtër në zonë, aty vjen një automjet tip “Audi A8”, i njëjti mjet që është shfaqur ne 5 gusht në Hotel Adriatik në Durrës.
Sipas pamjeve filmike, Martinaj hipën në sediljen e parë dhe makina largohet nga zona e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, duke hyrë në rrugën e Laprakës.
/abcnews.al/