Sekuestrohet hotel “Vollga” në Durrës, në pronësi të Emiljano Shullazit

schedule10:51 - 7 Gusht, 2020

schedule 10:51 - 7 Gusht, 2020

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara vë në sekuestro hotel “Vollgën” në Durrës.

Sekuestrimi është kërkuar nga SPAK dhe u vendos nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Emiljano Shullazi ka një pjesë të sipërfaqes së Hotel Vollga në Durrës.

Nga hetimet e vitit 2016 në kuadër të ligjit “Antimafia”, prokuroria për Krimet e Rënda zbuloi se Emiljano Shullazi ishte bërë pronar i vetëm i ish-hotel “Vollgës” përmes dy akt-dhurimeve në vitin 2014.

Çfarë ndodhi me hotel “Vollgën” dhe si përfundon në pronësi të Emiljano Shullazit

Në vitin 2013 me vendimit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-hotel “Vollga” iu njoh trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi.

Kjo trashëgimtare e mbetur e Fortuzëve që komunizmi i kishte shpronësuar si bashkëpuntorë të pushtuesve ishte në moshë dhe në gjendje të keqe fizike.

Ndaj ajo vendosi t’ia dhurojë pronën e fituar njeriut që ishte  kujdesur për shëndetin e saj, shtetasit Zamir Hasa.

Me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.

Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.

Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.

Pasi u bë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shiti një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove dy personave që dyshohen se bënë thjesht dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.

Mbi bashkëshortët Kodra ka dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bënë më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.

Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit./abcnews.al