Probleme me pasurinë, kryetari i Gjykatës së Fierit “ngec” në vetting

schedule18:45 - 10 Shtator, 2020

schedule 18:45 - 10 Shtator, 2020

Kryetari i Gjykatës së Fierit Roland Jaupaj është shkarkuar përfundimisht nga detyra, pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Trupa gjykuese i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të datës 28 Maj të vitit të shkuar.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.36/2019, datë 31.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Roland Jaupaj, kundër vendimit nr. 150, datë 28.05.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 150, datë 28.05.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Roland Jaupaj. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 10.09.2020″, thuhet në njoftim.

Gjatë hetimit KPK kishte konstatuar një sërë parregullsish në formularin e vetë-deklarimit të  pasurisë ndër vite të gjyqtarit Juapaj./m.v abcnews.al