Policia e Tiranës ka dhënë njoftim zyrtar për arrestimin e ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku. Blutë bëjnë të ditur se ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.
LEXO EDHE: U shtrua mbrëmë në spital, si u arrestua Agim Kajmaku
Abcnew.al ka raportuar më herët se ish-kryebashkiaku vuan nga zemra dhe diabeti.
Prokuroria e akuzon Kajmakun për tre vepra penale, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Kajmaku u zgjodh në krye të bashkisë së Vorës ne zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar, ndërsa që prej nëntorit të 2019 ishte në arrati.
Njoftimi i policisë:
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tirane u krye ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit në kërkim:
-A. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 09.11.2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.
Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
/abcnews.al