Shkarkohet mjeku Ilir Allkja, denoncoi problemet në QSUT për përballimin e pandemisë

schedule11:55 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 11:55 - 30 Dhjetor, 2020

QSUT ka shkarkuar nga detyra mjekun e Urgjencës Ilir Allkja. Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme nga drejtori Enkelejdi Joti me arsyesimin se Allkja ka shkelur etikën e punës duke publikuar materiale konfidenciale përmes komunikimeve të tij në rrjetin social Facebook si edhe në media.

Në vendimin që mban kokën “Për ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës”, QSUT i referohet rregullores së funksionimit të spitalit, ku ndër të tjera theksohet se stafi është i lirë të shprehë mendimet e tij në publik, por duhet të ruaje konfidencialitetin e punës dhe të mos sulmojë institucionin përmes komenteve dhe opinioneve.

Madje, në letrën e shkarkimit thuhet se komentet dhe opinionet e stafit nuk duhet të paraqiten si reagime zyrtare të institucionit.

Allkja denoncoi fillimisht mungesën e pajisjeve të posaçme për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus duke bërë që të reagonte edhe vetë kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp.

Gjatë këtyre muajve, mjeku i Urgjencës është konfliktuar publikisht edhe me eprorin e tij Skënder Brataj për çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si menaxhohen urgjencat.

Në 24 dhjetor, Allkja mori paralajmërim për pushim nga puna për të njëjtat problematika. /abcnews.al

Vijon…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!