EMRI / OFL nis aksionin në disa qytete: Sekuestrohen 9 automjete, bllokohet 1 pasaportë

schedule13:02 - 22 Prill, 2020

schedule 13:02 - 22 Prill, 2020

Operacioni Forca e Ligjit ditën e sotme ka njoftuar se ka sekuestruar 9 automjete të cilat dyshohet se janë krijuar nga aktivitet kriminal.

Gjithashtu është vendosur sekuestro edhe për një pasaportë, për moslejimin e daljes jashtë shtetit të poseduesit të saj.

OFL i ka dërguar formularin  për të justifikuar të ardhurat Eduart Dushkut, në Farkë të Tiranës.

Po ashtu i ka dërguar formularët edhe 6 të tjerëve të cilët brenda 24 orëve duhet të deklarojnë të burimin e të ardhurave për pasurinë e tyre.

Sakaq, Automjetet i kanë kaluar për administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, i cili do të verifikojë ligjshmërinë e sekuestrimit.

OFL  në njoftimin e saj thotë se kjo strukturë nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së gjatë situatës së gjendjes së emergjencës për shkak të pandemisë.

Njoftimi i OFL: 

Vijon Operacioni Forca e Ligjit, me veprime konkrete në terren.

Vendoset sekuestro në kushtet e emergjencës, për 9 automjete.

Gjithashtu vendoset sekuestro edhe për një pasaportë, për moslejimin e daljes jashtë shtetit të poseduesit të saj.

Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, bazuar në Nenin Nr. 19 “Sekuestrimi i pasurisë nga Policia e Shtetit në rastet e emergjencës”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për 9 automjete dhe një pasaportë dhe konkretisht:

– Tre automjete autovetura në pronësi të shtetasit E. D., banues në Farkë, Tiranë;

– Automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër;

– Automjeti Audia A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë;

– Automjeti në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë;

– Automjeti në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër;

– Automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në Gjirokastër;

– Automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në Gjirokastër;

Gjithashtu, bazuar në Nenin Nr. 11 për “Masat parandaluese personale në raste emergjencës”, i është bërë bllokimi i pasaportës dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit, për një afat 6-mujor, një shtetasi, banues në Lezhë.

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Gjatë kësaj periudhe, OFL nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL, është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!