Ndahet nga jeta gjuhëtari i njohur

schedule22:09 - 8 Gusht, 2020

schedule 22:09 - 8 Gusht, 2020

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, Prof. Dr. Jorgji Gjinari, gjuhëtari dhe dialektologu i shquar. Gjithë jetën e tij Gjinari ia dedikoi hulumtimit të të folmeve të gjuhës shqipe.

Jorgji Gjinari lindi në Berat në vitin 1931, ku edhe kreu shkollimin fillor e më pas shkollën e mesme pedagogjike.

Më 1951 filloi studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar, që u çel atë vit në Tiranë. U diplomua në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në atë institut më 1955. Po atë vit u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, të themeluar rishtas në kuadrin e Institutit të Shkencave.

Së bashku me Engjëll Angonin (1928–2017) dhe Anastas Dodin (1933–2008), ishte ndër gjuhëtarët e parë të shkolluar në Shqipëri. Fusha kryesore e punës së Jorgji Gjinarit si gjuhëtar ka qenë dialektologjia: hulumtimi në terren i të folmeve të gjuhës shqipe, brenda e jashtë kufijve të vendit, hartimi i punimeve përshkruese për këto të folme dhe më tej vështrime përgjithësuese për dukuri të veçanta dialektore dhe për struktura gjuhësore të dialekteve.

Gjinari ndërmori një varg ekspeditash në vise të ndryshme të vendit, nga Jugu në Veri, po ashtu në Kosovë dhe te ngulimet arbëreshe të Italisë. Me vëzhgimet dhe materialet e mbledhura në terren hartoi një varg punimesh përshkruese për të folmet e hulumtuara, si e folmja e qytetit të Beratit dhe të folmet e disa krahinave, si Opari, Skrapari, Mallakastra, Myzeqeja, Devolli, Korça (qyteti dhe fusha e Korçës), Bregu i Bunës, Tropoja.

Për vite me radhë  Gjinari drejtoi punën për një nga veprat përgjithësuese madhore të gjuhësisë shqiptare, “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” (vëllimi i parë 2007, 464 ff. dhe vëllimi i dytë 2008, 601 ff), duke qenë edhe një ndër hartuesit kryesorë të tij.

Ai është marrë po ashtu edhe me çështje të shqipes së sotme letrare, veçanërisht me marrëdhëniet e gjuhës letrare me dialektet dhe me bazën dialektore të gjuhës letrare. Jorgji Gjinari ka mbajtur për vite me radhë (1958–1989) leksionet e lëndës së dialektologjisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe ka mbajtur ligjërata universitare edhe në Kosovë e në Maqedoni.

Ai ka qenë anëtar i Këshillit shkencor të Institutit, anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike” dhe i komisioneve për organizimin e të gjitha konferencave shkencore e për botimin e materialeve të tyre. Ka dhënë ndihmesën e tij të vyer edhe si anëtar i komisionit organizues dhe delegat në Kongresin eDrejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor 1972). Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, me rastin e 85-vjetorit të tij të lindjes organizoi një konferencë shkencore të posaçme, ku u vunë në dukje meritat dhe ndihmesat e shumta të prof. dr. Jorgji Gjinarit në fushën e dialektologjisë dhe të gjuhësisë shqiptare në tërësi.

Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare në emër të anëtarëve të saj i shpreh familjes Gjinari ngushëllimet më të sinqerta e të thella për ndarjen nga jeta të njeriut të dashur, prindit të urtë, zemërgjerë e fisnik.