Ndërsa na ndajnë dhe pak orë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar me një video-mesazh për shqiptarët.
Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh i kënaqur që arriti të realizojë sfidën e tij madhorë që sovrani të shpallë i lirë vullnetin e tij.
“Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”, tha Presidenti.
Po gjithashtu Presidenti apeloi që deri në përfundim të procesit të numërimit të votave, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre të dëshmojnë maturi dhe qetësi.
Pjesë nga fjala:
“Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.
Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi. Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.
Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”,tha Meta.
/abcnews.al/