Prokuroria e Durrësit i ka konfiskuar hotelin me vlerë 1 milionë euro shtetasit Pëllumb Tuda.
Ai dyshohet i përfshirë në pastrim parash dhe trafik droge.
Kush është Pëllumb Tuda
Pëllumb Tuda është një emër i njohur për policinë pais ka qenë i skeduar për disa ngjarje të ndryshme.
Mësohet se 51-vjeçari Tuda është arrestuar më parë nga policia me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe plagosjes me dashje të një prej punonjëseve të tij.
Tuda njihet në Durrës edhe si pronar i diskos “Colombo”, ku në vitin 2015 ai plagosi dhe rrahu punonjësen e tij për shkak se ajo nuk pranoi të prostituonte, shkruan gazeta “Shekulli”
Rrëfimi i banakieres
“Kur nuk pranova dhe i thashë që nuk jam prostitutë, por banakiere dhe nuk pranoj ta bëj këtë punë, më gjuajti me çfarë kishte në dorë. Merrni masa sepse nuk më lë të qetë. Më thotë do të të vras nëse nuk iu bindesh urdhrave të mia. Unë kam frikë prej tij”.
Kjo ka qenë fraza që vajza e re, vetëm 22 vjeçe ka lënë në policinë e Durrësit në momentin që ka shkuar të denoncojë rrahjen brutale që i kishte shkaktuar pronari i saj, Pëllumb Tuda
Policia është vënë në lëvizje dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij, ndërsa mësohet se Tuda nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të ngritura nga vajza.
Sipas informacioneve, saktësohet se 22-vjeçarja kishte disa muaj që punonte në banakun e diskos, një prej më të njohurave në të gjithë Durrësin që prej shumë vitesh.
Vajza pas rrahjes nga Pëllumb Tuda dhe pas dhunës fizike e psikologjike, u dërgua në një qendër rehabilitimi dhe u mbajt për një kohë të gjatë larg vëmendjes së të njohurve të palëve, pasi policia bën me dije se mund t`i rrezikohej jeta seriozisht.
Plagosja në “Kolombo” në vitin 2014
Nga një shqyrtimi i Gjykatës së Lartë të kërkesës së një prej të arrestuarve në vitin 2014 për ngjarjen e rëndë në lokalin e Pëllumb Tudës: “Më 04.07.2014, rreth orës 02:00, Shpëtim Meta ka shkuar tek lokali “Kolombo”, por nuk është lejuar të hyjë brenda nga roja i lokalit, Besnik Ruçi, i cili ka konstatuar se ishte i armatosur.
Për këtë arsye ata kanë debatuar me njeri-tjetrin, Shpëtimi e ka kërcënuar me armë, duke qëlluar përtokë, ndërsa roja e ka qëlluar me grusht në fytyrë duke e rrëzuar.
Më pas shtetasi Shpëtim Meta është larguar me automjetin e tij. Për këtë ngjarje roja ka vënë në dijeni pronarin e lokalit Pëllumb Tuda, i cili në atë moment është afruar tek hyrja e lokalit.
Shtetasi Shpëtim Meta ishte kthyer pas rreth 10 minutash me automjetin e tij dhe kishte filluar të qëllonte me armë zjarri në drejtim të shtetasit Besnik Ruci. Po kështu me pistoletë ka gjuajtur edhe pronari Pëllumb Tuda.
Shtetasi Pëllumb Tuda ia ka dhënë pistoletën shtetasit Ivan Tuda (nipit të tij) dhe më pas ky i fundit ia ka dhënë shtetases Lumturi Tuda për ta fshehur armën. Policia më pas kishte sekuestruar armën e krimit”.