Incidenti me banerat në Fier, Meta-LSI-së: Provokim i turpshëm, hiqini banderolat

schedule12:02 - 21 Prill, 2021

schedule 12:02 - 21 Prill, 2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar një konferencë të jashtëzakonshme pas incidentit të ndodhur në Fier ku u hoqën banerët e Lëvizjes Socialistë për Integrim.

Presidenti e konsideroi një provokim këtë incident, ndërsa bëri thirrje që banderolat të hiqen derisa të mbarojë takimi i kryeministrit Edi Rama në këtë qytet.

“Ftoj kandidaten e LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe të gjithë kandidatët e tjerë të mos bien e këtij provokimi të bandës Rilindje, të thellohen pak. Ky është një incident i turpshëm dhe banal, por edhe një provokim Kejdi, që ju gjoja të prishni mitingun që do bëjë Rilindja sot në Fier.

Këtë duhet ta kuptosh qartë dhe nuk është kjo beteja juaj për të mbrojtur banderolat e LSI, se kryetari i Bashkisë Fieri do shkojë në burg për shkelje shumë të rënda që ka bërë, jo thjesht për këto shkelje të Kodit Zgjedhor.

Komuniko me zotin Ruçi, meqë mbulon qarkun e Fierit, nëse vërtetë banderolat e tua shqetësojnë Rilindjen dhe kryerilindasin, hiqni banderolat tuaja derisa të mbarojë mitingu dhe pastaj vërini prapë, se nuk është ky problemi i madh që ka Fieri.

I di Fieri të gjitha historitë e kryebashkiakut dhe rilindasve të tjerë, e do t’i ndëshkojë me votë plebishitare. U bëni thirrje gjithë grave e burrave të Fierit e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat, t’i kenë gati ditën e diel e po u prek një votë e vetme, ashtu do bëjë gjithë Shqipëria, me në krye Presidentin”, tha Meta.

Më herët Presidenti nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” i bëri thirrje kandidatëve të LSI-së që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

“U bëj thirrje kandidatëve të LSI në Fier të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake për çështjen e banderolave dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment. Ndërsa po u prek një votë ditën e votimeve t’i mprehin çfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t’i ndjekim këmba këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, u shpreh Meta.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!