Greqia po përgatitet që të hapë pikat kufitare të vendit me shtetet e tjera përfshirë edhe Shqipërinë që prej datës 1 korrik.
Siç bën me dije zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas, duke filluar nga data 1 korrik do të lejohet të ankorohen tragete në të gjitha portet e vendit, ndërsa do të hapen edhe aeroportet si dhe pikat e kalimit kufitar tokësor, raporton abcnews.al.
Në listën e pikave kufitare që do të hapen janë edhe Kakavija me Kapshticën. Greqia do të hapë gjithashtu edhe pikat kufitare me Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë.
“Nga pasnesër, ardhja e anijeve nga jashtë në portet greke është e lejueshme. Në të njëjtën kohë, po hapen kufijtë hyrës të Evzoni, Kakavisë, Kapshticës, Promachonas, Nymfaia, Kastania dhe Kipi. Qeveria vazhdon të përgatitet për të siguruar mbrojtjen maksimale të mundshme të shëndetit të punëtorëve në industrinë e turizmit si dhe të gjithë frekuentuesit në destinacionet turistike“, u shpreh Petsas.
Ndërsa ambasada greke në Tiranë saktësuar kategoritë që do të përjashtohen nga kjo lëvizje.
“Nuk lejohet hyrja e personave nga Shqipëria për në Greqi permes linjave detare, rrugore apo hekurudhore.
Përjashtohen: a) Qytetarë Grekë, posedues të Kartës së Veçantë të Identitetit të Homogjenit, poseduesit e lejeve të qëndrimit, si dhe persona që kanë banesën kryesore të tyre apo që qëndrojnë zakonisht në Greqi, b) kalimi i kamionëve për transport mallrash, c) transporti i mallrave me anije, d) hyrja e personave nëpërmjet kufijve tokësorë, për lëvizje absolutisht të nevojshme të karakterit profesional, të cilat i faktojnë me dokumentet përkatëse”
Vendimi i Greqisë vjen në një kohë kur vendet e BE-së kanë bërë një listë të vendeve me të cilat do të hapin kufijtë nga data 1 korrik. Në listën në fjalë momentalisht nuk është Shqipëria, ndërsa nga rajoni ynë figurojnë Serbia dhe Mali i Zi. /abcnews.al