Gjenden dy shuma të tjera parash të grabitura më 9 prill në Rinas.
Gazetarja Glidona Daci bën të ditur pë Abcnews.al se shuma prej 5 mije eurosh i është gjetur Elton Piklit, i cili është një prej të arrestuarve, si autor i dyshuar.
Ndërkohë një shumë tjetër i është gjetur babait të Renaldo Sulës, edhe ky i arrestuar për grabitjen. Paratë e gjetura kanë rezultuar se i përkasin një prej bankave të nivelit të dytë.
Sakaq, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për marrjen e kampionit për të bërë analizën e ADN-së për Elton Piklin dhe Oltian Veseli. Ndërsa Veseli ka refuzuar të japë kampion për ADN.
Kujtojmë se super-grabitja në Rinas ndodhi më 9 prill të këtij viti brenda aeroportit, ku po ngarkoheshin paratë në avion. Autorët morën thasët me 6 milionë euro, ndërsa në largim u përplasën me armë me policinë. Sakaq gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili pretendohej se ishte koka e bandës.
Të arrestuar për kë ngjarje janë: Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli, Saimir Cela dhe shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini.
Nga ana tjetë Alkond Bengasi ka pranuar të bashkëpunjë me drejtësinë dhe ka dhënë dëshmi që kanë shërbyer për zbardhjen e ngjarjes./abcnews.al