Gjykata e Posaçme rrëzon akuzën kryesore për grupin “Bajri” dhe e dërgon në Shkodër

schedule09:25 - 7 Shkurt, 2020

schedule 09:25 - 7 Shkurt, 2020

Grupi “Bajri” i Shkodrës, me të arrestuar të bujshëm gjatë viteve dhe muajve të fundit, tani do të hetohet vetëm për disa akuza tepër të lehta krahasuar me ato që pretendonte prokuroria.

Gazetarja Glidona Daci bën me dije për abcnews.al se me një vendim të fundit, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar akuzën kryesore për grupin “Bajri”, atë për “grup të strukturuar kriminal”. Rrëzimi i akuzës bën që dosja të mos gjykohet më nga Gjykata e Posaçme, por nga gjykata e Shkodrës.

Më rënien e akuzës kryesore të “grupit të strukturuar kriminal”, grupi “Bajri” tashmë do të gjykohet në Shkodër me disa akuza tepër të lehta siç janë “armëmbajtje pa leje”, “ndërtim pa leje”, “paracaktim i rezultateve sportive”.

Të dyshuar për dosjen në fjalë janë Safet Bajri, Ilir Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Emrahu Plaku dhe Enver Bajri.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Gjobvënie dhe punësim në OSHEE e spitale, ABC News zbardh dosjen e grupit “Bajri” 

Grupi akuzohej për dy vrasje, njëra në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.
Si dhë për një kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shumë parash.

Safet Bajri u arrestua në Tiranë në 2018 kurse Behar Bajri dhe Samet Halluni u arrestuan në Holandë dhe u ekstradua në Shqipëri. Mes të arrestuarve ishin dhe dy figura shumë të shquara të sportit shqiptar, ish- portieri i Vllaznisë Armir Grimaj i cili u lirua për mungesë provash si dhe ish- kampioni i boksit Astmer Bilali i cili vijon të mbetet në qeli.

Fillimisht pas arrestimeve në 2018 Gjykata e Shkodrës dha masat e arrestit me burg dhe menjëherë dosja i kaloi ish- Prokurorisë së Krimeve të Rënda , një hetim i cili zgjati më pak se dy vite.

Gjithashtu, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masë të re sigurie për grupin “Bajri” në nëntor pasi nga përgjimet u konstatua se kishin kapur institucione si OSHEE e Shkodrës dhe spitalin e qytetit duke bërë punësime atje.

Nga përgjimet u konstatua se e dashura e Behar Bajrit, Jorida Murati ishte personi që bënte lidhjen mes atij dhe grupit duke marrë dhe dërguar porosi nga burgu në Holandë.

Prokuroria pretendoi në dosjen e saj se kishte mjaft fakte të reja, si foto dhe video që faktojnë se Jorida Murati bënte korrieren dhe Behar Bajri kontrollonte grupin nga burgu.

Sipas organit të akuzës, Jorida Murati shkonte rregullisht për të takuar Behar Bajrin në Holandë dhe porositë e tij ia përcillte pjesës tjetër të grupit.

Ndërkohë një tjetër femër ishte e përfshirë, e cila kryente punësim te paligjshme në OSHEE e Shkodrës për llogari të grupit kriminal Bajri.

Bëhet fjalë për F.Gj e dashura tjetër e Behar Bajrit. Edhe kjo punësonte njerëz fiktivisht në OSHEE-në e Shkodrës, për llogari të grupit “Bajri”.

Anëtarët e grupit Bajri u arrestuan në kuadër të operacionit “Oaz”. Po sipas hetimeve, anëtarë të grupit Bajri, në bashkëpunimin me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve.

Wshtë pikërisht rrëzimi i akuzës për grup të strukturuar kriminal, e cila bën që dosja e tyre të mos qendrojë në SPAK. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!