Pas 48 orësh në arrati, autori i dy vrasjeve Fatmir Kolecaj është kthyer në banesën e tij në Zejmen të Lezhës, ku është rrethuar nga policia dhe forcat RENEA. Pas përplasjes me armë i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.
Mësohet se Kolecaj në orët e pasdites të së enjtes kur kishte filluar të errësohej përmes pyllit ku mendohet të ketë qëndruar për dy ditë është futur në banesën e tij. Policia dhe RENEA përgjatë gjithë kohës kanë vëzhguar banesën e tij dhe kur ai arriti të hynte në shtëpi i bënë thirrje që të dorëzohej. Por autori i krimit të dyfishtë thirrjes iu përgjigj me zjarr. Ai ka shtënë me armë në drejtim të policisë ku dhe plagosi në këmbë një prej punonjëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Forcat RENEA më pas kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë drejtuar një thirrje të dytë që ai të vetëdorëzohej. Me sa duket Kolecaj ka parë që nuk mund të dilte dot nga banesa dhe i ka dhënë fund jetës. Mësohet se në banesën e tij nuk ndodhej askush tjetër. Ndërsa një banor tregon se dëgjuan disa krisma.
Të martën në mbrëmje 47 vjeçari shkoi pranë banesës së ish bashkëshortes së tij Esmeralda Filopati në Koder-Rreshen dhe pas një debati në lidhje me 3 vajzat e tyre vrau ish-gruan dhe vëllain e saj. Mësohet se ai e kishte dhunuar sistematikisht gjatë viteve të martesës dhe ajo e kishte denoncuar. Për këtë shkak ai qëndroi në burg 4 vjet, por para një viti është liruar. Ndërsa ish bashkëshortja kishte urdhër mbrojtje, por Kolecaj jo vetëm që nuk e respektoi por i mori dhe jetën. /abcnews.al
/abcnews.al