Skandalet me të dhënat e mijërave shqiptarëve kanë marrë një tjetër dimension, ku sot janë publikuar targat dhe llojet e automjeteve që kanë në përdorim qytetarë të ndryshëm.
Lidhur me këtë skandal ka pasur një reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke u distancuar nga nxjerrja e të dhënave, ky institucion thekson se ka nisur një hulumtim dhe kërkim suporti nga kompania që mirëmban sistemin informatik, e kontraktuar nga AKSHI.
Sipas DPSHTRR, të dhënat e targave aksesohen nga shumë institucione dhe i shërben edhe operatorëve ekonomik shtetëror e privat
“Ndërkohë që do të kryhet një analizë e plotë për të dalë me një qëndrim zyrtar të bazuar në fakte, bëjmë me dije se kjo bazë të dhënash aksesohet nga shumë institucione, me nivele të ndryshme aksesi, dhe i shërben edhe operatorëve ekonomik shtetëror e privat.” theksohet në reagimin e DPSHTRR.
Kujtojmë se më parë janë publikuar të dhënat të pagesave si në shtet ashtu edhe në privat, të mijërave qytetarëve. Kjo ka sjellë debate të mëdha lidhur me sigurinë e të dhënave personale të shqiptarëve. /abcnews.al/