Alqi Bllako pyetet në SPAK për inceneratorët

schedule14:55 - 18 Shkurt, 2022

schedule 14:55 - 18 Shkurt, 2022

Deputeti i PS-së Alqi Bllako ka qenë gjithashtu në SPAK krahas Armando Subashit për t’u marrë në pyetje në lidhje me aferën e inceneratorëve. Bllako ka qenë Sekretar i Ministrisë së Mjedisit gjatë periudhës kur janë miratuar lejet për inceneratorët dhe firma e tij rezulton në një numër të madh dokumentesh, për të cilat duket se ka dhënë shpjegime në SPAK.

Bllako ka reaguar më herët në lidhje me akuzat që i janë bërë mbi inceneratorët duke thënë se pavarësisht rolit që ka patur në Ministrinë e Mjedisit ai nuk ka patur asnjë ndikim në vendimarrjen mbi ngritjen apo jo të tyre.

“Duke shprehur besimin se kolegët e çdo institucioni kanë zbatuar rigorozisht ligjin, deklaroj me përgjegjësi të plotë se kam patur zero rol në çdo proçedurë vendimmarrëse për dhënien e këtyre konçesioneve direkt apo indirekt. Në çdo rast, ju përket vetëm organeve të drejtësisë të përcaktojnë nëse ka ose jo shkelje; dhe nëse po, cilët janë personat përgjegjës”, reagonte Bllako disa muaj më parë.

Sipas gazetarit të ABC, Ermal Vija, SPAK është në fazën e fundit të hetimeve për inceneratorin e Fierit dhe pritet që gjatë ditëve në vijim prokurori Dritan Prençi të vendosë nëse do të japë masa arresti për të përfshirët në atë aferë.

Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit duke arrestuar Lefter Kokën, ndërsa janë shpallur në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Prokuroria dyshon se e njëjta skemë si  në Elbasan është përdorur edhe në inceneratorin e Fierit.

Para Bllakos, në SPAK ishte edhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, i cili është pyetur në lidhje me rolin e tij në marrëveshjen për inceneratorin e ndërtuar në këtë qytet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!