Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Lajmin e ka bërë me dije ministria që ajo drejton me anë të një postimi në faqen zyrtare. Në njoftim thuhet se Balluku është në gjendje të mirë shëndetësore dhe tashmë ka nisur karantinimin. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën apel për respektimin e masave dhe protokolleve për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se ministrja Belinda Balluku, rezultoi pozitiv pas testimit për COVID 19. Ministrja është në gjendje të mirë shëndetësore, paraqet simptoma të lehta dhe ka nisur karantinimin sipas protokollit përkatës. Përfitojmë nga rasti t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të respektojnë të gjitha masat dhe protokollet në fuqi, për parandalimin e përhapjes së pandemisë”, thuhet në njoftim.
Aktualisht e infektuar me Covid-19 është edhe një tjetër figurë e njohur e PS. Deputetja Blerina Gjylameti rezultoi pozitive pak ditë më parë. Betejën me të sëmundje në radhët e maxhorancës e kanë kaluar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj si dhe deputeti Eljo Hysko./mv. abcnews.al