Tiranë – Është zbardhur vrasja e 66-vjeçarit Behar Sofia, e ndodhur më 25 shkurt 2021. Sipas policisë është arrestuar vrasësi i biznesmenit si dhe bashkëpunëtorët e tij. Në total janë vënë në pranga 4 persona të përfshirë në këtë vrasje kriminale, ndërkohë policia i ka cilësuar si një grup vrasësish me pagesë.
Të arrestuari janë, Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë. Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë. Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Por si u organizua vrasja e biznesmenit Behar Sofia?
4 të arrestuari, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë organizuar vrasjen e Behar Sofia duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij. Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së vrasjes, është larguar në drejtim të Malit të Zi.
ABC ka siguruar rrëfimin e të riut Shyti që ekzekutoi biznesmenin, Sofia. “Killeri” mësohet se ka pranuar krimin ndërkohë që ka thënë se organizator i këtij krimi ishte i arrestuari, Skënder Vathi, nga i cili do të merrte edhe një shumë parash për vrasjen e biznesmenit Sofia. Mësohet se shuma e premtuar ishte 50 mijë euro, ndërkohë arma e krimit do të sigurohej nga Xhuljano Visha.
Nga ana tjetër pavarësisht provave të mbledhura tre të arrestuarit e tjerë nuk e kanë pranuar përfshirjen në këtë krim. Në rrëfimin e 24-vjeçarit që ekzekutoi Behar Sofinë, thuhet se Skënder Vathi i ka dhënë atij edhe një foto të ‘objektivit’, pra të biznesmenit Behar Sofia, të cilin duhet të eliminonte. Ndërkohë armën e krimit e ka siguruar Xhuljano Visha. Ndërkohë i arrestuari tjetër, Leonar Xhixha ka rolin e bashkëpunëtorit, pasi ka bërë të mundur arratisjen e vrasësit Ernejt Shyti.
Nga ana e saj, policia mësohet se ka disa persona nën hetim si të dyshuar si porositësit e ngjarjes por edhe nuk është arritur që të dokumentohet për shkak të mungesës së provave.
Ndërkohë gazetarja e ABC, Xhensila Kodra, raporton se i përfshirë në këtë ekzekutim të stili mafioz në mes të Tiranës, është edhe një shtetas nga Kosova i cili dyshohet se ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Bujar Sofisë dhe prej më shumë se një muaji kishte marrë një shtëpi me qira në rrugën e “Elbasanit”. Mësohet se viktima është identifikuar nga ADN-ja e lënë në rrobat, që braktisi te liqeni, pas vrasjes.
Kujtojmë se ekzekutimi mafioz i Behar Sofisë u krye mëngjesin e 25 shkurti pranë Piramidës, buzë lumit të Lanës, ku fillimisht Behar Sofia është gjetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital por pa mundur të mbijetojë. Në momentin e krimit, viktima ecte në këmbë në trotuar.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia ku kanë bërë të ditur se të arrestuari janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”. Zbardhet vrasja e 66-vjeçarit, e ndodhur më 25 shkurt 2021.
Arrestohet një grup vrasësish me pagesë, të cilët kanë planifikuar dhe në bashkëpunim kanë kryer vrasjen e shtetasit Behar Sofia.
Vihen në pranga 4 shtetas të përfshirë në këtë vrasje kriminale.
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Instituti i Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është finalizuar me sukses OPERACIONI POLICOR “PIRAMIDA”. Si rezultat është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor me prova shkencore i ngjarjes së ndodhur në datë 25.02.2021, rreth orës 08:45, në bulevardin “Bajram Curri”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Behar Sofia.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve të shpejta hetimore procedurale si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:
· Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
· Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë.
· Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë.
· Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë organizuar vrasjen e shtetasit Behar Sofia duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.
Shtetasi Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon publikisht Policinë e Malit të Zi, për ndihmën e mënjehershme të ofruar për lokalizimin dhe kapjen e ekzekutorit Ernejt Shyti. Pas takimit operacional të organizuar në vendin e kalimit Hani i Hotit, të dy policitë kanë shkëmbyer informacion në kohë reale duke u finalizuar me kapjen dhe deportimin e tij.
Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj.
Analiza e këtyre provave hap prespektivë për identifikimin edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon me intensitet puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësjaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 e Komisariatin Dixital, çdo rast të paligjshmërisë duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. /abcnews. al