Arrestohen 4 persona në Tiranë, këto janë akuzat

schedule12:14 - 25 Maj, 2020

schedule 12:14 - 25 Maj, 2020

Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona duke proceduar penalisht dy të tjerë gjatë 24 orëvë të fundit, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Burime zyrtare bëjnë me dije se dy nga të arrestuarit kanë kryer aksidente, kurse dy të tjerë janë kapur të dehur në timon.

Njoftimi i plotë

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 4 shtetas, si edhe janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit të shpallur në kërkim I. B., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe më datë 24.05.2020, rreth orës 20:00, ka vjedhur motorrin e shtetasit O. T.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit N. V., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, në banesë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

• M. M., 35 vjeç, pasi në rrugën “Teodor Keko” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.60 mg/l;

•A. Th., 48 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l;

Gjithashtu, po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor filloi procedimi penal për shtetasit:

•F. N., 24 vjeç, pasi në rrugën “Mikel Maruli”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar fëmijën e mitur me iniciale I. Z., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

•F. V., 31 vjeç, pasi në rrugën “Demokracia” Kamzë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin B. L., i cili pas mjekimit në spital u largua në banesë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.