Bledar Mancaku ka qenë një nga lojtarët më karizmatikë në Superiore. Teuta dhe Besa janë klubet ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës. Cilësi të padiskutueshme teknike, por edhe nga ata lojtarë që merrnin zjarr shpejt. Në Durrës dhe Kavajë e donin shumë, kurse në qytete të tjera ku shkonte si kundërshtarë e ngacmonin shpesh.
Mundoheshin ta nxirrnin nga binarët, pasi një lojtar si Mancaku nuk mbahej lehtë. Tashmë e ka mbyllur me futbollin e luajtur, por fotografi Ferdinand Hazisllari nuk i lë të qetë me fotot që po publikon këtë periudhë në rrjetet sociale.
Durrsaku, në një prej postimeve të fotografit ngacmon ish-arbitrin, Mentor Sopjani.“O Sopjan, e dinim që vije me armë para ndeshjes ti, prandaj të respektonin (qesh)”, komenton me shaka ish-mesfushori.
Sopjani sigurisht nuk preket dhe ia kthen: “(qesh) Ku je o çun flori”. Mancaku nuk e kishte përfunduar komentin e tij, teksa më pas shton: “Dhe unë prandaj nuk protestoja, që të bëheshim miq”. /abcnews.al