Donald Rapo është kthyer në një çështje te Luftëtari. Mesfushori është lrguar nga bluzinjtë për shkak të pagesave të pashlyera, kurse në Gjirokastër e presin dhe ndërkohë nuk i kursejnë as gjoba. Kjo edhe pse ata nuk kanë zbatuar kontratën me lojtarin.
Momentalisht Rapo po stërvitet te Laçi dhe ka sqaruar situatën e tij para pak ditësh përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”. Tifozët e falënderojnë për kontributin e tij, ndërkohë që një mesazh mbështetës për të ka përçuar edhe portieri Festim Miraka.
Pogradecari, aktualisht pjesë e skuadrës së Bylisit, në postimin e Rapos ka shkruar: “Vëlla, mos e vrit mendjen! Ti edhe pa lek ke dhënë maksimumin, po ata janë mësuar ta hedhin poshtë mundin dhe djersën me një fjalë, por ne të njohim shumë mirë kush është Donald Rapo. Sa për këta që thua ti, nuk e dinë se çfarë është futbolli. E dinë topin katror. Respekte”.
Miraka ka qenë më parë pjesë e Luftëtarit, por u largua me akuza të shumta. E gjitha kjo ndodhi pas një kartoni të kuq që mori në një ndeshje me Kamzën. Drejtuesit bluzi lëshuan akuza ndaj portierit, i cili më pas e vijoi karrierën te Besa dhe këtë verë u rikthye në Superiore. /abcnews.al