Policia e Tiranës pezulloi nga detyra një efektiv të Policisë Rrugore, që u denoncua një natë më parë nga emisioni investigativ “Stop” në TV Klan, teksa merrte rryshfet nga një drejtues mjeti.
Në një njoftim për mediat policia sqaroi se efektivi me inicialet I.K., ishte me detyrë në Seksionin e Menaxhimit të Trafikut Urban pranë Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë.
Gjithashtu, për këtë rast Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka filluar veprimet hetimore, të cilat janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në videon e transmetuar në “Stop”, tregohej sesi një drejtues mjeti bëri një parakalim të gabuar, duke shkelur madje edhe sinjalistikën për ndalimin e këmbësorëve. Por pasi i dha 2 mijë lekë të reja Policit Rrugor, ky i fundit vendosi që të mos e çojë para komisionit./abcnews.al