“E ardhmja e Ukrainës është në NATO”, por udhëheqësit nuk japin asnjë ftesë për anëtarësim

schedule21:23 - 11 Korrik, 2023

schedule 21:23 - 11 Korrik, 2023

E ardhmja e Ukrainës qëndron brenda Aleancës së NATO-s, ranë dakord liderët e vendeve anëtare në samitin e Vilniusit. Megjithatë, në kundërshtim me aspiratat e Kievit, nuk u dha asnjë ftesë apo afat për anëtarësimin në NATO.

Në të njëjtën kohë, NATO hoqi detyrimin që Ukraina të ndiqte Planin e Veprimit të Aderimit (MAP). Në këtë mënyrë hoqi një pengesë në rrugën e Kievit për t’u bashkuar me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“E ardhmja e Ukrainës qëndron në NATO”, thuhej në një deklaratë të rënë dakord sot nga krerët e vendeve anëtare, duke shtuar se integrimi euroatlantik i Kievit ka tejkaluar nevojën për Planin e Veprimit të Anëtarësimit.

“Ne do të jemi në gjendje t’i bëjmë një ftesë Ukrainës për t’u bashkuar me Aleancën kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”, thuhet në një deklaratë.

Ndërsa liderët nuk elaboruan kushtet që Ukraina duhet të përmbushë, ata theksuan se Aleanca do të ndihmonte Kievin të bënte përparim në ndërveprueshmërinë ushtarake si dhe reforma shtesë në sektorët e demokracisë dhe sigurisë. “Ne e kemi bërë të qartë se do ta ftojmë Ukrainën të bashkohet me NATO-n kur aleatët të bien dakord dhe kur të plotësohen kushtet,” tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi.

Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët gjithashtu u zotuan të investojnë “të paktën 2%” të PBB-së së tyre çdo vit në shpenzimet ushtarake.

“Njëmbëdhjetë aleatë e kanë arritur ose tejkaluar këtë prag. Presim që ky numër të rritet ndjeshëm vitin e ardhshëm”.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën euro-atlantike gjatë Samiti  i NATO-s në Vilnius.

“Është e paprecedentë dhe absurde kur nuk vendoset një afat kohor, as për ftesën (për anëtarësim në NATO), as për anëtarësimin e Ukrainës”, shkroi Zelensky në Telegram.

Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se pasiguria e vazhdueshme mbi anëtarësimin e Ukrainës në NATO do t’i siguronte Rusisë një “nxitje për të vazhduar terrorizmin e saj”.