E ardhmja e trajnerit Favre dhe një afrim zyrtar, zhvillime te Dortmund

schedule16:57 - 25 Qershor, 2020

schedule 16:57 - 25 Qershor, 2020

Të shtunën zhvillohet java e fundit e Bundesligës gjermane. Borussia Dortmund tentoi të garonte me Bayern Munchen për fitimin e titullit kampion, por nuk shkoi më shumë se vendi i dytë.

Dueli i fundit zhvillohet në shtëpi përballë Hoffenheim dhe kjo nuk do të jetë ndeshja e fundit e Lucien Favre në stolin e verdhezinjve. Drejtori sportiv i klubit, Michael Zorc ka konfirmuar qëndrimin e trajnerit zviceran edhe për sezonin e ardhshëm.

 

Trajneri i Borussia Dortmund, Lucien Favre

Favre ka edhe një vit kontratë, drejtuesit e klubit janë të kënaqur nga puna e tij dhe marrëveshja e arritur do të respektohet deri në fund. Dortmund tentoi të avanconte edhe në Champions League, por u eliminua në raundin e 1/8 nga francezët e PSG.

Pak minuta më parë, klubi gjerman ka zyrtarizuar afrimin e parë. Ai është Thomas Meunier, i cili vjen me parametra zero nga PSG. 28-vjeçari aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ka një eksperiencë të madhe.

Ai numëron 40 ndeshje të luajtura dhe 7 gola të shënuar me kombëtaren e Belgjikës. Meunier ka firmosur një kontratë deri në vitin 2024 me Dortmund, teksa nuk i fsheh emocionet për këtë hap në karrierë.

Erdhi dita e madhe. Nder i madh për mua të njoftoj se jam një lojtar i Borussia Dortmund. Një kapitull i ri po hapet për mua dhe për ju. Do ta mbaj veshur me krenari fanellën verdhezi“, shkruan lojtari në “Twitter”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!