Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se integrimi i Serbisë në BE është në interes të përbashkët, gjithashtu shprehet i bindur se Serbia mund të luajë një rol strategjik. Këto deklarata Macron i ka dhënë pas një takimi të zhvilluar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Jam i bindur se Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e autonomisë strategjike të BE. Dua të them se gjithashtu marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme. Franca mbështet integrimin europian të Serbisë”, tha Macron.
I ndalur tek situata mes Kosovës dhe Serbisë, ai shtoi se secila palë duhet të luajë rolin e saj dhe të kontribuojë për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve.
Ndërsa nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën është një premtim dhe gjithashtu ka mbetur si një ‘peng për rajonin dhe Europën’.
Emmanuel Macron tha ndër të tjera se Serbia nuk duhet të dyshojë se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.
/abcnews.al/