Jasir Asani do ta mbyllë sezonin tek AIK në Suedi. Kontrata e huazimit kishte përfunduar, por klubi suedez dhe Partizani kanë gjetur gjuhën e përbashkët që sulmuesi anësor të qëndrojë deri në fund të muajit gusht. Kjo periudhë do i shërbejë AIK për të vendosur në fund nëse do e blejë Asanin, ose jo.
“Klubi njofton kohëzgjatjen e huazimit të Jasir Asanit te klubi AIK. FK Partizani dhe AIK në marrëveshjen e re të nënshkruar mes palëve kanë vendosur të shtyjnë afatin e huazimit deri në 30 gusht 2020, me të drejtën e blerjes në fund të lojtarit nga gjigandët suedez AIK.
Marrëveshja e re e cila është konkretizuar me pëlqimin e dy klubeve dhe lojtarit Jasir Asani, ka ardhur si pasojë e ndërprerjes prej më shumë se 2 muaj të aktiviteteve zyrtare të futbollit për shkak të situatës së krijuar nga COVID -19.
Jasir Asani i cili u shpall kampion i Shqipërisë me të kuqtë, iu bashkua klubit të AIK në Janar të 2020, skuadër me të cilën debutoi me gol në ndeshjen zyrtare të kupës së Suedisë ndaj Kalmar”, shkruhet në njoftimin e klubit të Partizanit. /abcnews.al