Humbja në Ballsh mund të lërë pa trajner Tiranën. Ardian Mema, tekniku i bardhebluve që prej tetorit të vitit të shkuar, nuk ka dalë në stërvitje. Sot bardheblutë po punojnë nën urdhrat e Erion Xhafajt, ndërkohë që mbetet të mësohet se çfarë do të ndodhë me Memën.
Trajneri është nën kontratë dhe i duhet të bisedojë me presidentin Refik Halili. Nga ajo çka Mema tha një ditë më parë, vështirë se palët mund të vijojnë bashkëpunimin. “Të pësosh gol në goditje standarde pa lëvizur njeri, s’ka lidhje me trajnerin. Kushdo të jetë, këtyre golave nuk ka çfarë u bën. Të pësosh gola për mungesë përqendrimi nuk di ç’të them”, u shpreh Mema pas ndeshjes në Supersport.
Gjithsesi ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe në orët në vazhdim priten të reja. Tirana renditet në vendin e gjashtë në klasifikim, me 14 pikë të grumbulluara në fazën e parë. Shqetësimi nuk është diferenca me kreun, pasi Partizani ka vetëm tre pikë më shumë. /abcnews.al