E ardhmja dhe objektivi, Flick: Bisedova me Kahn, dua yllin e pestë

schedule15:58 - 16 Prill, 2021

schedule 15:58 - 16 Prill, 2021

Bayern luan një tjetër transfertë nesër, kësaj radhe në Bundesligë. Kampionët në fuqi (+5 pikë nga Leipzigu i vendit të dytë) do të përballen kundër Wolfsburg, ekip që po shkëlqen këtë sezon dhe renditet në vend të tretë në kampionatin gjerman.

Skuadra bavareze kërkon fitoren për të harruar eliminimin nga PSG në Champions League. Trajneri Hansi Flick, i cili pritet të marrë drejtimin e kombëtares gjermane pas Euro 2020, është ndalur tek e ardhmja e tij në konferencën për shtypin.

Kam biseduar shkurtimisht me Oliver Kahn (do të zëvendësojë Rummennigen në postin e CEO-s së Bayernit), por nuk bëhej fjalë për të ardhmen time. Folëm më atë që ka ndodhur këtë javë dhe reagimin që duhet të bëjmë pas ndeshjes me PSG-në.

Kjo javë është shumë e rëndësishme, pasi mund të marrim yllin e pestë. Jam i fokusuar totalisht te fitimi i titullit të 30-të kampion me këtë klub të lavdishëm“, deklaroi trajneri i Bayern Munchen. Në Gjermani rregulli i yllit në fanellë ndryshon nga shtetet e tjera, aty ku një yll vlen 10 kampionate.

Në Bundesligë merr yllin e parë pasi ke fituar tre tituj kampionë, të dytin pasi ke fituar 5 dhe të tretin pasi je shpallur dhjetë herë kampion. Më pas ndryshon, ylli i katërt vjen pas 20 titujve, ndërsa i pesti pas 30 titujve. Bayerni ka fituar 29 herë kampionatin gjerman deri tani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!