Dyshohet se u qëllua për konflikt tokash, administratori i shkollës në Tiranë: Plumbat jo për mua, disa djem po ziheshin

schedule14:14 - 18 Janar, 2022

schedule 14:14 - 18 Janar, 2022

Nga Xhensila Kodra

Automjeti tip “Benz” në të cilin lëvizte administratori i shkollës private “Wilson”, Lulëzim Masha u qëllua me armë nga një person ende i paidentifikuar. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në zonën e Liqenit të Thatë. Autori qëlloi me 3 plumba pistolete në drejtim të tij. Dy prej tyre kapën mjetin. Fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk preku 63 vjeçarin apo këmbësorë që ishin duke kaluar aty pranë.

Autori u largua menjëherë prej andej në këmbë, në brendësi të parkut të Liqenit. Policia ngriti pika të shumta kontrolli, por pa mundur të zbulojë personin që qëlloi me armë në drejtim të 63 vjeçarit Masha.

Gjatë marrjes në pyetje, Masha ka mohuar që sulmi me armë të ketë qenë për të. Ai ka pohuar se kishte qenë duke kaluar në këtë zonë për të shkuar në punë, dhe se kishte parë disa djem të rinj duke u zënë me njëri-tjetrin. Sipas tij, nga të shtënat, plumbat kishin prekur edhe makinën e tij.

Masha ka treguar se autori ishte një djalë rreth 25 vjeç, i veshur sportiv, esmer dhe me mjekërr.

63 vjeçari nuk njihet si person problematik apo i skeduar nga policia. Edhe pse ai ka mohuar të ketë konflikte, hetuesit dyshojnë se sulmi me armë mund t’i ketë ardhur për konflikte tokash ose ndonjë konflikt tjetër banal.

Policia është duke verifikuar edhe pretendimin e 63 vjeçarit lidhur me pretendimin e sherrit mes disa të rinjve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!