Policia e Lushnjes ka sekuestruar 108.600 euro të dyshuara të përfituara nga aktivitete të kundërligjshme. Policia ka sekuestruar gjithashtu një armë gjahu dhe municion luftarak.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strumi” është proceduar penalisht poseduesi i tyre, për veprat penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.
Mësohet se eurot ishin në pronësi të shtetasit Ilir Ruko, 47 vjeç, banues në Strum, Roskovec.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” me të cilin udhëtonte dhe gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën 108.600 euro, për të cilat 47-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete të kundërligjshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. R. janë gjetur një armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe shumën e parave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”./abcnews.al/