Dyshimet për spiunazh vënë në provë marrëdhëniet Londër-Pekin

schedule10:44 - 12 Shtator, 2023

schedule 10:44 - 12 Shtator, 2023

Një punonjës i parlamentit britanik u arrestua në mars me dyshimin për spiunazh në favor të Kinës. Kina i mohon akuzat.

Autoritetet britanike konfirmuan arrestimin e dy personave të dyshuar për spiunazh për Kinën, njëri prej të cilëve thuhet se ka punuar si hulumtues në parlamentin britanik.

Në një deklaratë të lëshuar nga policia metropolitane e Londrës thuhet se ata ishin arrestuar në mars bazuar në Ligjin për Sekretet Zyrtare të Britanisë së Madhe, ligj që lidhet me mbrojtjen e sekreteve shtetërore. Policia njoftoi se “kontrolle u kryen edhe në vendbanimet e të dyshuarve si dhe në një adresë të tretë në lindje të Londrës”, thuhet në deklaratë.

Të dyshuarit i mohojnë akuzat për spiunazh

Identiteti i të dyshuarve nuk është njoftuar zyrtarisht dhe ata ende nuk janë akuzuar. Të dy personat janë liruar me kusht deri në tetor.

Hulumtuesi që punonte në parlament ju përgjigj akuzave përmes avokatëve të tij, duke pretenduar se është “plotësisht i pafajshëm”.

Parlamenti britanik njoftoi se çështja po trajtohet dhe se autoritetet e sigurisë po shqyrtojnë dyshimet për spiunazh.

Marrëdhënie dypalëshe të tensionuara

Përmes një deklarate të ambasadës së saj në Britaninë e Madhe Kina i ka hedhur poshtë pretendimet se ka kryer spiunazh duke i quajtur ato si “shpifje plotësisht të fabrikuara dhe me qëllim të keq”.

Akuzat vijnë në një kohë kur marrëdhëniet Britani e Madhe-Kinë janë tashmë të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjeve për çështje si siguria, investimet dhe të drejtat e njeriut.

Qeveria britanike e ka kritikuar goditjen e Kinës ndaj të drejtave dhe lirive civile në Hong Kong dhe ka nxjerrë kompanitë kineze jashtë sektorëve strategjikë si energjia bërthamore dhe rrjeti i telefonisë celulare 5G.

Shërbimi i Brendshëm Sekret britanike ka paralajmëruar se aktivitetet e qeverisë kineze dhe spiunazhi nga Kina përbëjnë “sfidën strategjike më të fortë për Mbretërinë e Bashkuar”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!